Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka qenë i ftuar në emisionin “She’s On Air” në Top Albania Radio, ku ka folur për dashurinë, xhelozinë dhe raportet me femrat.
I pyetur nga moderatoret për mënyrën se si mund të luftohet xhelozia, Ngjela ka habitur me përgjigjen e tij, duke thënë se e ka gjetur “kurën” për këtë problem.
“Për të hequr xhelozinë, duhet të bësh një ‘antibiotik’, një ndërhyrje të madhe! Më pyeti një njeri që është shumë i lartë në politikë sot: Si e ke bërë? Si e ke hequr xhelozinë?
Duhet të durosh që e dashura jote të shkojë me një tjetër. Kjo nuk është durim, është kurë. Pse? Sepse filozofia më ka mësuar që xhelozia është urrejtje. Ju e dini atë thënien në Shqipëri: ‘Sa më e madhe xhelozia, aq më e madhe dashuria’, por jo. ‘Sa më e madhe xhelozia, aq më e madhe urrejtja’”, është shprehur Ngjela.
Gjatë intervistës, avokati është pyetur edhe nëse merr mesazhe nga vajza apo gra në Facebook për të dalë për kafe. Ai është përgjigjur pozitivisht, duke shtuar se ka pranuar ftesa të tilla.
I pyetur nëse janë gratë ato që e zgjedhin për një takim apo nëse është ai që i zgjedh, Ngjela ka thënë se personat e njohur kanë përparësi në njohje.
“Personi që është i njohur botërisht janë ato që të japin përparësi në njohje. Pse? Unë jam këtu. Kjo që jam këtu është e sforcuar, nuk është vullnetare. Kam ardhur i detyruar. Kam thënë një ‘po’ dhe kam ardhur, në këtë kuptim. Një marrëveshje”, ka deklaruar ai.











