Luciano Spalletti ka reaguar ndaj presionit të krijuar pas humbjes së Juventusit ndaj Sassuolos dhe zërave që kërkojnë rikthimin e Antonio Contes në Torino. Trajneri bardhezi këmbëngul se situata nuk duhet dramatizuar pas vetëm një disfate.
“Është e drejtë që secili të ketë mendimin e tij. Unë kam posterin tim dhe aty shkruan Luciano Spalletti. Jam i bindur se kam një skuadër të fortë dhe do të vazhdoj ta stërvit me të njëjtat bindje. Kemi humbur një ndeshje, vetëm një”, deklaroi ai.
Spalletti pranoi se Juventus duhet të reagojë menjëherë në debutimin europian ndaj NEC Nijmegen. “Duhet urgjentisht të fitojmë dhe të tregojmë se jemi Juventusi. Kemi analizuar atë që ndodhi ndaj Sassuolos dhe dimë se ku duhet të përmirësohemi.”
Trajneri italian foli edhe për presionin që e rrethon klubin: “Ta pranosh presionin është ilaçi për të mësuar të jetosh. Ajo që thuhet pas një humbjeje nuk është diçka që mund ta kontrolloj dhe nuk dua të harxhoj energji me këtë.”
Për ndeshjen ndaj NEC, Spalletti konfirmoi se Weston McKennie do të jetë titullar pas rikthimit nga problemi muskulor, ndërsa paralajmëroi skuadrën të mos nënvlerësojë kundërshtarin holandez. Juventus kërkon ta nisë me fitore aventurën në Europa League dhe të lërë pas menjëherë zhgënjimin e fundit në kampionat.











