Shtetet e Bashkuara thanë se ambasada e tyre në Kiev do të mbetet e hapur, pavarësisht paralajmërimeve të Rusisë se diplomatët që mbeten në kryeqytetin ukrainas rrezikojnë të jenë në shënjestër.
“Nuk ka pasur ndryshime në operacionet tona dhe çdo raport që thotë të kundërtën është i rremë”, tha ambasada amerikane në një deklaratë në platformën X. “Departamenti i Shtetit nuk ka përparësi më të lartë se siguria e qytetarëve amerikanë dhe rishikon rregullisht masat e sigurisë në ambasadën në Kiev”.
Ministria e Jashtme ruse të hënën u bëri thirrje qytetarëve dhe diplomatëve të huaj të largohen nga Kievi “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke paralajmëruar se ata rrezikojnë sulme me raketa në kryeqytetin ukrainas.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha të martën se Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e kishte paralajmëruar se Kievi “do të bëhet një vend shumë i rrezikshëm”. Rubio tha gjithashtu se personeli diplomatik amerikan ishte informuar për rrezikun e shtuar të sigurisë, por nuk tha nëse ishte lëshuar një urdhër evakuimi.
Të enjten, Sergei Shoigu theksoi se paralajmërimi i Moskës ishte “shumë serioz”.











