Polemikat mes Kylian Mbappé dhe senatores paraguajane Celeste Amarilla janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pas deklaratave të reja të politikanes ndaj yllit francez.
Pas ndeshjes Francë-Paraguaj, të fituar nga francezët me rezultat minimal, Amarilla kishte bërë më herët komente të rënda ndaj Mbappés, duke shkaktuar reagimin e ashpër të sulmuesit. Ky i fundit e kishte cilësuar senatoren si “të neveritshme” dhe të padenjë për postin që mban.
Tani, senatorja ka folur sërish në Senatin e Paraguajit, duke iu referuar episodit pas ndeshjes mes Mbappés dhe portierit Orlando Gill. Sipas saj, futbollisti francez refuzoi t’i jepte dorën portierit paraguajan.
“Ajo që na zemëroi ishte se Orlando Gill, një djalë i ri që ndoshta luante për herë të parë para gjithë botës, i ofroi dorën me përulësinë e një paraguajani, ndërsa ky bir k***e refuzoi t’ia jepte dhe i bërtiti në fytyrë”, deklaroi Amarilla.
Deklaratat e saj kanë rindezur debatet, pasi më herët senatorja kishte bërë edhe komente me përmbajtje raciste ndaj Mbappés, të cilat sollën reagime të shumta dhe dënim publik.
Në këtë çështje është përfshirë edhe një tjetër senator paraguajan, Nano Galaverna, i cili gjithashtu ka sulmuar Mbappén me komente të papërshtatshme. Ai e quajti francezin “arrogant” dhe bëri një deklaratë që mund të interpretohet si homofobike.
Rasti ka marrë përmasa më të mëdha përtej futbollit, duke kaluar në një debat politik dhe shoqëror. Ndërkohë, Mbappé ka mbajtur një qëndrim të prerë kundër komenteve raciste dhe diskriminuese.









