Samiti i NATO-s në Ankara po konsiderohet një moment kyç për rolin e Turqisë brenda Aleancës. I ftuar në një lidhje direkte në Live në Mëngjes në Vizion Plus, nga kryeqyteti turk, gazetari Sokol Brahaj tha se takimi mes presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, përcolli një mesazh të qartë politik. Sipas tij, pamjet ku të dy ecën dorë për dore nuk ishin rastësore.
“Kjo ecje ka një rëndësi të veçantë për presidentin Erdogan, sepse ai merr shumë pak njerëz dorë për dore. Kjo na sinjalizon se pas këtij samiti, Turqia do të jetë në një pozitë shumë më të lartë dhe më të gjerë në NATO,” u shpreh Brahaj.
Ai theksoi se, pavarësisht atmosferës miqësore, gjatë takimit Rutte ngriti edhe shqetësime për gjendjen e demokracisë në Turqi dhe arrestimet e kryera para samitit. Megjithatë, sipas gazetarit, zhvillimi pa incidente i organizimit dhe pesha ushtarake e Turqisë brenda Aleancës po e forcojnë pozicionin e Ankarasë në strukturat e NATO-s.
Duke komentuar takimin e pritshëm mes Recep Tayyip Erdogan dhe presidentit amerikan Donald Trump, Brahaj tha se marrëdhëniet mes dy liderëve kanë hyrë në një fazë të re.
“Edhe pse në mandatin e parë të Trump marrëdhëniet Uashington-Ankara ishin ndoshta në pikën më të ulët historike, këtë herë të dy liderët kanë ndryshuar qëndrim dhe marrëdhëniet janë shumë më të mira,” deklaroi ai. Sipas Brahajt, deklarata e Trump se vizita në Turqi bëhet edhe për Erdoganin duhet parë më tepër si pjesë e stilit të tij politik. “Trump është një ‘showman’ që di të hipnotizojë median globale. Ai i përdor fjalët e mëdha për të rritur pazarin,” tha gazetari.
Brahaj vlerësoi gjithashtu rolin që Erdogan ka luajtur në përpjekjet për ndërmjetësimin e konflikteve ndërkombëtare. “Gjatë luftës Rusi-Ukrainë, ai ka qenë i vetmi lider i një vendi anëtar të NATO-s që ka arritur t’i ulë të dyja palët në tavolinë. Ka folur drejtpërdrejt me të dy liderët dhe ka propozuar vazhdimisht plane paqeje,” u shpreh ai. Sipas gazetarit, ky rol, së bashku me angazhimin e Turqisë në Lindjen e Mesme, po shpërblehet me një ndikim më të madh brenda Aleancës.
Sa i përket përfitimeve për Turqinë, Brahaj tha se vendi tashmë ka siguruar investime strategjike në fushën e mbrojtjes. “Turqia po ndërton bazën më të madhe të NATO-s në rajon, në Stamboll, përballë Detit të Zi, ku 80% e financimit vjen nga Amerika. Pas këtij samiti pritet që influenca e Turqisë të zgjerohet jo vetëm në Ballkan, por deri në Londër e Bruksel, duke marrë një rol të ri edhe në Lindjen e Mesme me mbështetjen e Amerikës,” përfundoi ai.





