Një dron rus goditi të dielën një tren pasagjerësh pranë kufirit Ukrainë-Poloni, vetëm pak minuta pasi në të njëjtën linjë hekurudhore kishte kaluar një tren që transportonte ish-kryeministrin britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë europianë.
Ngjarja ndodhi pranë Yahodynit, rreth dy kilometra nga kufiri me Poloninë. Treni i goditur udhëtonte në linjën Kiev–Varshavë dhe kishte 206 pasagjerë në bord. Pas paralajmërimit për sulmin me dron, pasagjerët u evakuuan dhe më pas goditja shkatërroi lokomotivën. Nuk raportohet për viktima apo të plagosur në tren.
Në trenin që kishte kaluar pak më herët ndodheshin Boris Johnson, ish-kryeministri suedez Carl Bildt, këshilltari i kancelarit gjerman Friedrich Merz për politikën e jashtme dhe sigurinë, Günter Sautter, si dhe zyrtarë e diplomatë të tjerë europianë. Ata po ktheheshin nga një konferencë sigurie në Kiev.
Sipas kompanisë ukrainase të hekurudhave, ekziston dyshimi se droni mund të ketë pasur si objektiv pikërisht trenin diplomatik, megjithëse kjo nuk është konfirmuar përfundimisht. Ukraina e ka cilësuar sulmin si një zhvillim veçanërisht shqetësues, pasi goditja ndodhi shumë pranë territorit të një vendi të NATO-s.
Johnson reagoi ashpër ndaj sulmit dhe e kritikoi presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa autoritetet polake thanë se dronët rusë iu afruan rrezikshëm kufirit, pa hyrë në hapësirën ajrore të Polonisë.











