Roma dhe Inter kanë dhuruar një sfidë të fortë në “Olimpico”, duke u ndarë në barazim 2-2 në përballjen mes dy skuadrave që kryesonin Serie A. Verdhekuqtë dominuan pjesën e parë, por Interi reagoi fuqishëm pas pushimit dhe kompletoi një tjetër përmbysje të pjesshme.
Manu Koné ishte protagonisti absolut për Romën në 45 minutat e para. Francezi kaloi vendasit në avantazh që në minutën e gjashtë dhe më pas realizoi sërish në të 37-ën, me golin që fillimisht u anulua, por u konfirmua pas ndërhyrjes së VAR-it.
Interi ndryshoi fytyrë në pjesën e dytë dhe Lautaro Martínez mori skenën. Vetëm një minutë pas rifillimit, argjentinasi përfitoi nga kombinimi me Thuram për të ngushtuar diferencën. Në minutën e 79-të, pas një aksioni kaotik në zonën e Romës, Lautaro gjeti sërish rrjetën dhe vulosi barazimin 2-2.
Dy skuadrat mbeten të pamposhtura dhe vazhdojnë krah për krah në krye me nga 13 pikë, ndërsa gara për titullin mbetet plotësisht e hapur.










