Houthit e Jemenit thanë të shtunën se kanë sulmuar me raketa dhe dronë disa “objektiva të ndjeshme” në kryeqytetin saudit, Riad.
Pretendimi erdhi disa orë pasi pranë aeroportit kryesor të qytetit, King Khalid International Airport, u panë flakë dhe një kolonë e madhe tymi i zi. Pamjet e Reuters treguan zjarr pranë asaj që dukeshin si depo karburanti.
Autoritetet saudite kishin dërguar gjatë natës njoftime për banorët e Riadit dhe zonës së Al-Kharj, duke paralajmëruar për një kërcënim të mundshëm ajror. Më vonë u dha njoftimi se situata ishte nën kontroll. Një gazetar i Reuters në Riad raportoi se kishte dëgjuar shpërthime.
Houthit thanë gjithashtu se kishin goditur një objekt të kompanisë së naftës Saudi Aramco në Yanbu, qytet-port në Detin e Kuq. Sipas grupit, sulmet ishin hakmarrje për goditjet saudite ndaj kryeqytetit jemenas, Sana’a.
Riad nuk ka konfirmuar menjëherë se objektivat e pretenduara nga Houthit janë goditur. Autoritetet saudite gjithashtu nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për zjarrin pranë aeroportit.
Sulmet vijnë në një moment përshkallëzimi të konfliktit mes Arabisë Saudite dhe Houthive, ndërsa grupi jemenas ka shtuar sulmet ndaj qyteteve, infrastrukturës energjetike dhe anijeve saudite në Detin e Kuq.











