Barcelona ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme në La Liga, duke mposhtur Sevillan 3-1 në “Sánchez Pizjuán”. Protagonisti absolut ishte Raphinha, i cili realizoi të tre golat e katalanasve dhe firmosi tripletën e dytë brenda vetëm një jave.
Sevilla kaloi e para në avantazh me Fofanan, pas një aksioni të bukur të Félix Correia. Reagimi i Barcelonës ishte i menjëhershëm: Raphinha shfrytëzoi pasimin e Christensen, kaloi Sanganten dhe barazoi me një finalizim të saktë.
Në pjesën e dytë, braziliani kompletoi përmbysjen me një goditje të fuqishme me kokë pas asistit të Lamine Yamal. Pak më vonë, dyshja bashkëpunoi sërish, me Yamal që dha asistin e dytë dhe Raphinha që kompletoi tripletën me një finalizim elegant mbi portierin.
Kapiteni blaugrana regjistron kështu dy hat-trick radhazi brenda një jave, ndërsa skuadra e Hansi Flick shkon në pushimin e kombëtareve me pikë të plota dhe një nisje perfekte të sezonit.










