Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po i shtyn qëllimshëm proceset e formimit të institucioneve. Ai për çështjen e presidentit ia ka propozuar Hashim Thaçin.
Haradinaj e ka quajtur “nder” të legjislaturës së Kuvendit që mandati i presidentit t’i jepet Thaçit. Gjykata Speciale më 16 shtator shpall aktgjykimin në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
“Nëse do zgjidhje regjimi i Kurtit, është në nderin e kësaj legjislature por edhe çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi, atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij është nderin tonë si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie politike, por për shkak të një kundërpërgjigje të armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin. Ka edhe x opsione të tjera mos me mbajtë peng Kosovën”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosthirrjen e seancës konstituive, derisa ka theksuar se gjuajtja me vezë nga deputetja Time Kadrijaj kundrejt Kurtit ka ndodhur për shkak se nuk po propozohet kandidati për kryeparlamentar.
“Ai e ka instaluar veten mbi Kushtetutën, mbi institucionet, mbi çdo obligim kushtetues e ligjor. Mosthirrja e seancës me arsyetimin se nëse s’ka marrëveshje ndodh dhunë në seancë është vetëm alibi. Dhuna ka ndodhur, gjuajtja me vezë për Kurtin, jo pse e ka thirrë seancën por pse nuk po kandidon kryetarin e Kuvendit që është detyrë e tij”, u shpreh Haradinaj para mediave.











