Elbasan, 15 tetor 2026 – Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar po i ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në vend dhe përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave, duke theksuar se zëri dhe kërkesat e të rinjve duhet të dëgjohen.
Në një deklaratë për mediat, Qendra vlerëson se shqetësimet e të rinjve, veçanërisht ato që lidhen me arsimin dhe të ardhmen e tyre, meritojnë vëmendje serioze dhe përgjigje institucionale. Ajo nënvizon se të rinjtë duhet të kenë mundësi të shprehen lirisht, me dinjitet dhe pa frikë.
Qendra rikujton se e drejta për t’u shprehur dhe për të protestuar është themelore dhe duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore, qytetare e demokratike. Ajo u bën thirrje të rinjve që protestat t’i zhvillojnë në mënyrë paqësore, ndërsa thekson se dhuna rrezikon sigurinë e qytetarëve, cenon pronën dhe dëmton bashkëjetesën shoqërore.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se policia dhe institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë me profesionalizëm e maturi, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore.
Qendra i bën thirrje qeverisë t’i dëgjojë kërkesat e protestuesve dhe të hapë dialog me ta. Përfaqësuesit politikë dhe institucionet, sipas saj, duhet të krijojnë hapësira reale komunikimi me të rinjtë dhe t’u japin përgjigje shqetësimeve të tyre.
“Dialogu, dëgjimi i ndërsjellë dhe angazhimi serioz janë rruga për të kapërcyer këtë situatë”, thuhet në deklaratën e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, Elbasan.











