Cristian Chivu ka vlerësuar reagimin e Interit pas fitores dramatike 2-1 ndaj Fiorentinës, një tjetër ndeshje ku zikaltërit arritën të përmbysnin rezultatin.
Interi ishte në disavantazh, por barazoi me Marcus Thuram dhe më pas siguroi tri pikët falë penalltisë së Piotr Zielinskit në minutat shtesë.
Pas ndeshjes, Chivu u ndal edhe te penalltia e pretenduar më herët nga Thuram, duke kërkuar që skuadra e tij të mos humbasë energji duke u ankuar për vendimet e arbitrave.
“Ne ishim më të fortë se padrejtësitë dhe ato na dhanë edhe më shumë forcë. Por nuk dua të shoh askënd duke qarë për gabimet e arbitrave”, deklaroi trajneri i Interit.
Chivu theksoi se skuadra ruajti qetësinë edhe pasi pësoi gol dhe vazhdoi të besonte deri në fund.
“Pësuam nga një goditje prej 30 metrash, por nuk kam asgjë për t’i kritikuar skuadrës për cilësinë e lojës apo vendosmërinë. Edhe pasi kaluam në disavantazh, ruajtëm qetësinë. I përgëzoj lojtarët, sepse krijuan lojë dhe kërkuan fitoren deri në fund.”
Trajneri zikaltër foli gjithashtu për aftësinë e Interit për t’u rikthyer në ndeshje. Skuadra ka rikuperuar tashmë 13 pikë nga pozita disavantazhi.
“Ndeshjet zgjasin 90 minuta. Nuk dua të shoh njerëz që mëshirojnë veten apo ankohen për arbitrat. Dua lojtarë që besojnë dhe reagojnë”, përfundoi Chivu.











