Administrata Federale e Aviacionit (FAA) hoqi të premten ndalimin e fluturimeve në të gjithë vendin, pasi një defekt në komunikimin e qendrave të kontrollit të trafikut ajror shkaktoi kaos në aeroportet amerikane dhe çoi në ndërprerjen e fluturimeve, e cila zgjati 5 orë, më e gjata që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se hapësira ajrore amerikane u rihap në orën 20:15 (02:15 me orën shqiptare), por paralajmëroi se nisja e fluturimeve do të rifillonte gradualisht dhe se kompanive ajrore do t’u duhej kohë për të rikthyer operacionet në normalitet.
“Procesi do të jetë i ngadaltë”, u tha Duffy gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas të dhënave të FlightRadar24, më shumë se 6.600 fluturime u anuluan dhe 8.600 të tjera pësuan vonesa, ndërsa 1.500 fluturime të tjera ishin anuluar paraprakisht për ditën e diel. Analistët e aviacionit thanë se bllokimi i fluturimeve për 5 orë në të gjithë vendin mund të shkaktojë probleme në oraret e kompanive ajrore për disa ditë me radhë.
Duffy deklaroi se dhjetëra mijëra pasagjerë kishin mbetur të bllokuar në aeroportet në të gjithë vendin. Ai bëri të ditur gjithashtu se, së bashku me sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, ishte takuar me presidentin Donald Trump në Zyrën Ovale për të diskutuar mbi ndërprerjen e shërbimeve.
Ky defekt përbën shenjën më të fundit dhe më të rëndë të problemeve me të cilat po përballet sistemi amerikan i kontrollit të trafikut ajror, i rënduar nga teknologjia e vjetëruar, pajisjet dhe sistemet problematike të komunikimit, si dhe mungesa e disa mijëra kontrollorëve të trafikut ajror.
Duffy deklaroi se problemet nisën në orën 15:36, kur qendrat e kontrollit të trafikut ajror përjetuan paqëndrueshmëri në sistemet e radarëve dhe të komunikimit.
“Switch-et dhe router-at tanë u mbingarkuan me të dhëna dhe filluan të shfaqnin mospërputhje në informacionin që transmetohej përmes tyre. Për këtë arsye, vendosëm ta fiknim sistemin”, tha Duffy. Ai shtoi se në asnjë moment nuk e humbën plotësisht funksionimin e radarëve apo të komunikimit dhe se arritën të ulnin në mënyrë të sigurt mijëra avionë.
Duffy deklaroi se problemi i menjëhershëm ishte zgjidhur dhe se udhëtimi me avion ishte i sigurt, por paralajmëroi se nevojitej një reformë më e gjerë e sistemit të vjetëruar të kontrollit të trafikut ajror, për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme.
50 miliardë dollarë për modernizimin e aviacionit
Duffy fajësoi Kongresin për mosfinancimin e një sistemi të ri, i cili sipas tij mund të parandalonte ndërprerje të tilla, dhe kërkoi 50 miliardë dollarë për modernizimin e tij.
Më herët gjatë së premtes, përpara se të ndodhte ndërprerja, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Transportit i kishin kërkuar Kongresit të miratonte një fond prej 30,1 miliardë dollarësh për përmirësimin e aeroporteve të vjetëruara të vendit dhe të infrastrukturës së kontrollit të trafikut ajror.
“Ajo që kemi aktualisht është një sistem jashtëzakonisht i vjetër i kontrollit të trafikut ajror”, deklaroi Duffy. “Na jepni fondet për ta rregulluar”.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Mullin, deklaroi se deri më tani nuk kishte “asnjë provë” që ndërprerja të ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik apo nga një sistem autonom i inteligjencës artificiale që kishte dalë jashtë kontrollit, megjithëse hetuesit nuk e kishin përjashtuar ende asnjërën prej këtyre mundësive.
“Duket se problemi është shkaktuar nga një defekt mekanik, megjithatë, ne ende po vijojmë hetimet”, tha Mullin.
Ai shtoi se Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) po bashkëpunonte me Departamentin e Sigurisë Kombëtare për hetimin e ngjarjes.
Sipas dy zyrtarëve të kompanive ajrore, ndërprerja duket se kishte prekur një rrjet telekomunikacioni të administruar nga kompania L3Harris Technologies. Ky rrjet menaxhon frekuenca radioje thelbësore, të cilat përdoren nga kontrollorët e trafikut ajror për të komunikuar me pilotët. L3Harris nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Vuajtjet e pasagjerëve s’kanë marrë fund ende
Megjithëse ndalimi i fluturimeve u hoq, problemet për pasagjerët ishin larg përfundimit. Nga Bostoni në Siatëll dhe nga Nju Jorku në Los Anxhelos, pasagjerët mbushën sallat e nisjeve dhe sportelet e kompanive ajrore, ndërsa vonesat dhe anulimet shtoheshin dhe avionët vazhdonin të qëndronin të parkuar në portat e imbarkimit.
Mijëra pasagjerë rrezikonin të mbeteshin të bllokuar në aeroporte gjatë natës.
Edward Kargbo, 50 vjeç, nga West Chester, Pensilvani, kishte planifikuar të udhëtonte me një fluturim të Ethiopian Airlines në orën 21:00 drejt Lomé-s, në Togo. Në vend të kësaj, ai planifikonte të kalonte natën në aeroport, përpara fluturimit të ri të planifikuar për në orën 06:00 të mëngjesit të së shtunës.
“Më duhet ta kaloj natën këtu”, tha ai. “Kam mbetur i bllokuar”.
Edhe Louise Maher, 47 vjeçe, u përball me të njëjtat probleme në aeroportin e Newark-ut, pasi fluturimi i saj i British Airways drejt Londrës u prek nga kaosi në trafikun ajror.
“Ndoshta në një moment do të shpërthej në lot, por jo tani”, u shpreh ajo.
Kompanitë ajrore amerikane nuk do të jenë të detyruara të paguajnë kompensim për pasagjerët e bllokuar, pasi transportuesit nuk ishin përgjegjës për defektet në sistemin e FAA-së.
I vetmi rast tjetër i ndalimit të fluturimeve në të gjithë vendin që nga sulmet e 11 shtatorit ishte në janar të vitit 2023, kur FAA pezulloi nisjet e fluturimeve të brendshme për rreth 90 minuta.
American Airlines deklaroi se po u jepte përparësi fluturimeve drejt qyteteve më të vogla, jashtë qendrave të saj kryesore të operimit, si dhe destinacioneve ndërkombëtare, me qëllim pozicionimin sa më të mirë të avionëve dhe ekuipazheve për të përshpejtuar rikthimin në normalitet të operacioneve.











