Michael Owen ka rikthyer në kujtesë transferimin e tij nga Liverpool te Real Madrid në vitin 2004, duke zbuluar se vendimi për t’iu bashkuar “Galaktikëve” ishte shumë më i vështirë nga sa dukej.
Në një intervistë për FourFourTwo, ish-fituesi i Topit të Artë tregoi se oferta e Real Madridit e gjeti në befasi gjatë një turi parasezonal të Liverpoolit në Shtetet e Bashkuara.
“Gjëja e fundit që kisha në mendje ishte largimi nga Liverpool. Isha në dhomë me Carragher kur më telefonoi agjenti im”, tregoi Owen.
Sipas tij, Jamie Carragher u përpoq menjëherë ta bindte të qëndronte.
“Mos shko. Ata kanë Raúl, Ronaldo dhe Fernando Morientes. Nuk do të luash asnjë minutë!”, i kishte thënë shoku i skuadrës.
Megjithatë, Owen nuk mundi t’i rezistonte mundësisë për të luajtur për Real Madridin e “Galaktikëve”.
“Mendova: Galaktikët, ajo fanellë e bardhë, të gjithë që dalin në fushë si engjëj, ai stadium i jashtëzakonshëm, një kulturë tjetër. Vendosa të shkoja dhe ta provoja.”
Por sapo marrëveshja u bë realitet, anglezi nisi të kishte dyshime.
“Kur firmosa, mendova: ‘O Zot, çfarë kam bërë?’. Mbaj mend që qava shumë rrugës për në aeroport, duke menduar: ‘Çfarë po lë pas?’”
Owen luajti vetëm një sezon me Real Madridin, në edicionin 2004/05, përpara se të rikthehej në Angli, ku më pas veshi fanellat e Newcastle, Manchester United dhe Stoke City.











