Afro 5 orë ka zgjatur seanca në GJKKO për 14 personat e arrestuar me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit “Ura”.
Më shumë se një orë mori edhe tërheqja për vendim e gjyqtares së dosjes Rudina Palloj, e cila në orët e vona të mbrëmjes së sotme (23 maj), vendosi lënien në burg për 11 nga të arrestuarit dhe lirimin me “detyrim paraqitjeje” të avokatit Armand Tragaj, i cili iu lut për shkak të tre familjarëve të sëmurë dhe gruas me fëmijë të mitur, që ta zbuste masën, si dhe dy të dyshuarve të tjerë, Ervis Deti dhe Bexhet Mema.
Mes personave të ndaluar është edhe ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina, ku avokati i tij mbrojtës, Rigert Koni, i kërkoi prokurorisë të përcaktojë rolet dhe episodet për secilin nga këto persona. Kjo për shkak se nga disa prej mbrojtësve kërkohet t’i përcaktohet saktësisht vepra penale, pasi nuk pranojmë që të jenë pjesë e ndonjë grupi kriminal.
Sipas avokatëve, materialet e përcjella nga autoritetet italiane janë të vetmet prova ku mbështetet dyshimi i arsyeshëm, që janë komunikimet e kryera në SkyECC. Mbrojtësit ligjorë i kanë kërkuar prokurorisë që, përveç bisedave në Sky, të fakti të mbështetet edhe në prova të tjera.
Mes personave të ndaluar në kuadër të operacionit “Ura” ishte edhe avokati Armand Tragaj. Ky i fundit ka rezultuar në dosjen e prokurorisë se kishte aplikacion të kriptuar Sky ECC, duke identifikuar dhe kodet që përdorte. Ndalimi i tij është kryer pasi SPAK zbuloi se ka kryer veprën penale të ndikimit të paligjshëm në 4 episode.
Burime bëjnë me dije se në sallën e gjyqit i është drejtuar gjykatës me masë më të butë sigurie se sa ajo e arrestit në burg, të cilën gjyqtarja palloj ia pranoi me zbutje në “detyrim paraqitjeje”.
Armand Tragaj u shpreh:
“Jam i rënduar psikologjikisht dhe vazhdimi i kësaj mase do të rëndojë situatën time familjare, ku unë jam me babin e sëmurë dhe njerkën e paralizuar, vëllain në psikiatri dhe bashkëshorten me fëmijë të vogël. Dhe për këtë fakt u kërkoj të jem pranë familjes”.
Pas përfundimit të fjalës së të ndaluarit, gjyqtarja Rudina Palloj u tërhoq për vendim, teksa në shpallje të tij la 13 prej tyre në “arrest me burg” dhe një ‘detyrim paraqitjeje’.
Seanca rinisi rreth orës 16:00 seanca për dosjen ‘Ura’, pasi u shty me kërkesë të avokatëve, të cilët kërkuan që të njihen me dosjen. SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane ka zbardhur rolin e bosëve Çoba, Presi dhe ‘Visi i Pojës’ por jo vetëm.
Dosja ‘Ura’ është e mbështetur mbi përgjime telefonike, ambientale, pamje video si dhe zbardhjet e SKYECC, si edhe 29 masa sigurie, në kuadër të të megaoperacionit shqiptaro-italian ‘Ura’, i cili në të dy anët e kufirit procedoi 52 persona, 40 shqiptarë dhe 12 italianë.
Mes 29 emrave me urdhër arresti nga SPAK, është Elvis Doçi, i njohur ndryshe si Visi i Pojës, një ndër emrat kyç të këtij grupi, që garantonte trafikun e kokainës dhe heroinës drejt Italisë, përmes ‘korrierëve’ të ndryshëm. Ndaj tij rëndojnë katër vepra penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e veçantë bashkëpunimit atë të grupit të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Masat e sigurisë nga GJKKO: -Orgest Molla, arrest me burg
-Armand Tragaj, detyrim paraqitjeje
-Altin Morina, arrest me burg
-Akil Ndrejaku, arrest me burg
-Musa Koça, arrest me burg
-Rando Aliu, arrest me burg
-Sokol Isteri Tatani, arrest me burg
-Bexhet Mema, arrest me burg
-Ervis Deti, arrest me burg
-Ligor Çombashi, arrest me burg
-Altin Pjetri, arrest me burg
-Ervin Zeqiri, arrest me burg
-Gëzim Thartori, arrest me burg
-Alfred Hysa, arrest me burg