Operacioni në mollëzën e Luka Modric ka rezultuar i suksesshëm. Mesfushori kroat iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në klinikën “La Madonnina” në Milano, nën kujdesin e ekipit të drejtuar nga doktori Luca Autelitano.
Fillimisht, dëmtimi nuk dukej aq serioz. Stafi mjekësor i Milan nuk e dërgoi menjëherë lojtarin në spital dhe madje ekzistonte mundësia që ai të rikthehej të dielën ndaj Sassuolo në Reggio Emilia. Megjithatë, kontrollet e kryera një ditë pas përplasjes së fortë me Locatelli në pjesën e dytë të Milan-Juventus konfirmuan frakturë në mollëzën e majtë.
Kjo do të thotë se sezoni i Modric me fanellën kuqezi ka përfunduar. Megjithatë, kroati pritet të rikuperohet në kohë për Kupën e Botës me Kroacinë.
Milan konfirmoi gjithçka përmes një komunikate zyrtare:
“AC Milan njofton se Luka Modrić iu nënshtrua sot një ndërhyrjeje kirurgjikale në Klinikën La Madonnina në Milano. Operacioni ishte i nevojshëm për trajtimin e një frakture komplekse dhe shumëfragmentare të kockës zigomatike të majtë. Ndërhyrja, e kryer nga ekipi i Dr. Luca Autelitano, në prani të mjekëve kuqezinj Stefano Mazzoni dhe Andrea Bulgheroni, rezultoi plotësisht e suksesshme. Klubi i uron Luka një rikuperim të shpejtë përpara Kupës së Botës FIFA.”
Përplasja me Locatelli ishte shumë e fortë. Të dy lojtarët tentuan të arrinin të parët te topi, por koka e lojtarit të Juventus goditi fuqishëm anën e majtë të fytyrës së Modric. Kroati qëndroi për disa minuta i shtrirë në fushë, më pas u ngrit, por dukej qartë i tronditur.
Allegri vendosi ta zëvendësonte dhe në fillim situata dukej nën kontroll. Edhe vetë Modric qetësoi shokët e skuadrës dhe trajnerin, por ekzaminimet e mëvonshme zbuluan dëmtimin serioz.
Milan humbet kështu një nga lojtarët kryesorë në garën për Champions League, ndërsa trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic, do të ndjekë me kujdes ecurinë e rikuperimit të tij pas operacionit. Për momentin është ende herët për të dhënë parashikime të sakta, por duke parë natyrën e dëmtimit, mund të përdoret një maskë mbrojtëse gjatë rikthimit në fushë.
Sipas raportimeve aktuale, Milan do të duhet të bëjë pa Modric në katër ndeshjet e fundit të sezonit.











