Michael Olise është kthyer në një nga emrat më të komentuar të momentit, si për paraqitjet në Kupën e Botës, ashtu edhe për të ardhmen e tij në merkato.
Sulmuesi francez ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Francës në këtë turne, duke vijuar formën e shkëlqyer që tregoi edhe gjatë sezonit me Bayern Munich. Paraqitjet e tij kanë bërë që disa prej klubeve më të mëdha të Europës të ndjekin nga afër situatën.
Pavarësisht se luan për një klub gjigant si Bayerni, interesi për Olise është rritur ndjeshëm. Real Madrid, PSG dhe disa klube të mëdha të Premier League janë lidhur me emrin e tij, por për momentin gjithçka mbetet në pritje të një hapi të parë shumë të rëndësishëm: bisedës mes lojtarit dhe Bayern Munich.
Sipas raportimeve, Olise dhe përfaqësuesit e tij duan të ulen me drejtuesit bavarezë pas përfundimit të Kupës së Botës, për të kuptuar qartë se si klubi e vlerëson lojtarin dhe çfarë plani ka për të në të ardhmen.
Francezi kërkon të sqarojë pozicionin e tij, sidomos pas rritjes së madhe që ka pasur në muajt e fundit. Ai e di se disa klube po presin sinjale nga ana e tij, por deri tani nuk ka dhënë asnjë qëndrim publik.
Bayern Munich do të jetë klubi i parë që do të dëgjojë mendimin e Olise. Në Mynih ruajnë qetësinë dhe mbështeten te kontrata e lojtarit, por e dinë gjithashtu se statusi i tij ka ndryshuar shumë krahasuar me momentin kur firmosi dy vite më parë.
Te Bayerni e kanë të qartë se Olise tashmë shihet si një nga lojtarët më të talentuar dhe më të kërkuar në Europë. Rritja e tij ka qenë e madhe dhe paraqitjet me Francën vetëm sa e kanë shtuar vëmendjen rreth tij.
Real Madrid ka mohuar çdo lëvizje zyrtare përmes një deklarate, por francezi mbetet një lojtar që vlerësohet shumë në Madrid. Megjithatë, madrilenët nuk janë të vetmit në garë, pasi edhe PSG dhe klubet angleze po ndjekin situatën.
Ajo që duket e sigurt është se pas Botërorit do të ketë zhvillime. Bayern Munich e di se duhet të ulet në tryezë me Olise, ta dëgjojë dhe të kuptojë dëshirën e tij për të ardhmen.











