Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 37-vjeçari Maridon Dhuli, i cili pësoi djegie të rënda mbrëmjen e djeshme, pasi automjeti me të cilin udhëtonte u përfshi nga flakët në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë.
Ngjarja ndodhi në afërsi të Skërficës, ku automjeti tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonte 37-vjeçari, mori zjarr në rrethana ende të paqarta. Kalimtarë të rastit i dhanë ndihmën e parë, ndërsa i plagosuri u transportua fillimisht me ambulancë drejt spitalit të Sarandës dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, për trajtim të specializuar.
Pavarësisht ndihmës mjekësore, 37-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat në të cilat automjeti mori flakë.











