Shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka përcjellë një tjetër apel për klasën politike kosovare, për krijimin e shpejtë të institucioneve dhe zgjidhjen e ngërçit politik.
Në mesazhin e saj pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Palatova vuri theksin te nevoja për funksionimin normal të institucioneve, në mënyrë që Kosova të mund të vijojë procesin e reformave dhe të përfitojë plotësisht nga mbështetja e Bashkimit Evropian.
Sipas saj, përdorimi i plotë i mundësive që ofron Plani i Rritjes së BE-së është i rëndësishëm për forcimin e zhvillimit ekonomik dhe avancimin e vendit drejt integrimit evropian.
“Duke i dhënë lamtumirën Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë Eva Palatova përsëriti thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve të Kosovës, tejkalimin e ngërçit politik, avancimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes të BE-së për zhvillimin e Kosovës si një vend shumetnik që aspiron anëtarësimin në BE”, thuhet në njoftim.











