Gianni Infantino ka marrë një mbështetje të rëndësishme në prag të zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s, pasi Konfederata Aziatike e Futbollit ka ndryshuar qëndrim dhe ka dalë publikisht në krah të tij.
Presidenti i AFC-së, Sheikh Salman bin Ibrahim Al Khalifa, konfirmoi mbështetjen gjatë një takimi të zhvilluar në Tokio, ku ishte i pranishëm edhe vetë Infantino.
“Rikonfirmojmë mbështetjen tonë të plotë për ju dhe drejtimin tuaj, ndërsa kërkoni një mandat të ri si president i FIFA-s”, deklaroi Sheikh Salman.
Ky është një ndryshim i rëndësishëm në marrëdhëniet mes palëve. Vetëm pak kohë më parë, AFC ishte pozicionuar përkrah UEFA-s dhe CONCACAF-it kundër projektit të FIFA-s për krijimin e një kompanie komerciale që do të hapej ndaj investitorëve privatë.
Edhe pas tërheqjes së projektit, në Azi kishte pasur zëra që kërkonin largimin e Infantinos. Megjithatë, situata ka ndryshuar dhe disa federata kombëtare kanë kaluar në mbështetje të presidentit aktual të FIFA-s.
“Gianni, po, kemi pasur mosmarrëveshje në të kaluarën, por duhet të ecim përpara. Futbolli është më i fortë kur punojmë së bashku”, shtoi presidenti i AFC-së.
Konfederata Aziatike përfaqëson 46 federata anëtare, ndërsa UEFA dhe CONCACAF vazhdojnë të kenë kundërshti ndaj drejtimit aktual të FIFA-s.
Zgjedhjet presidenciale janë planifikuar për muajin mars, ndërsa afati për paraqitjen e kandidaturave përfundon më 18 nëntor.
Deri tani, Infantino është i vetmi që ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, ndërsa Victor Montagliani, i përmendur si një prej emrave të mundshëm për ta sfiduar, nuk pritet të hyjë në garë.











