Neymar Jr. ka zbuluar një nga planet e tij për të ardhmen, ndërsa karriera në futbollin e niveleve më të larta po i afrohet fazës përfundimtare.
Braziliani deklaroi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë me krijuesin e përmbajtjes Cris Guedes se synon të luajë në Kings League në vitin 2030.
“Doja të luaja në Kings League. Do të luaj në vitin 2030”, u shpreh Neymar, i cili aktualisht vazhdon të aktivizohet me Santos.
Deklarata solli menjëherë reagimin e Guedes, i cili e pyeti nëse kjo nënkuptonte se Neymar planifikonte të tërhiqej nga futbolli profesionist brenda katër viteve.
Braziliani iu përgjigj duke iu referuar problemeve të vazhdueshme fizike që e kanë shoqëruar vitet e fundit.
“Nëse do të kishe gjurin tim, do ta kuptoje”, tha ai.
Neymar ka kaluar një periudhë të gjatë me dëmtime që nga aventura në Arabinë Saudite dhe nuk ka arritur të rikthehet plotësisht në nivelin që e karakterizonte në vitet më të mira të karrierës.
Pavarësisht kësaj, ai duket se nuk ka ndërmend të largohet plotësisht nga futbolli. Nëse plani realizohet, Neymar do t’i bashkohet Kings League në moshën 38-vjeçare.











