Dy shqiptarë rrezikojnë nga 18 muaj burg në Belgjikë, pasi akuzohen për përfshirje në një plantacion të madh kanabisi të zbuluar në qytetin Dison. Ngjarja daton në qershor të vitit 2023, kur banorët e një zone në rrugën Bonvoisin njoftuan policinë për lëvizje të dyshimta në një banesë që ndodhej në një ish-fermë. Kontrolli i konsumit të energjisë ngriti dyshime për aktivitet të paligjshëm dhe policia ndërhyri në banesë. Aty u zbuluan katër dhoma të përshtatura për kultivim, ku ndodheshin gjithsej 6,124 bimë kanabisi.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, gjatë operacionit u arrestua një shqiptar 35-vjeçar, i cili u gjet duke fjetur në ambientet e kultivimit. Ai deklaroi se ishte rekrutuar në Tiranë për të punuar si kopshtar për rreth dy muaj, kundrejt pagesës prej 15 mijë eurosh. Sipas dëshmisë së tij, fillimisht nuk e kishte ditur se bëhej fjalë për një plantacion kanabisi.
Hetuesit gjetën gjithashtu një gjurmë ADN-je në një prej mbulesave të përdorura në ambientet e kultivimit. Gjurmët çuan te një tjetër shtetas shqiptar, 28 vjeç, i cili në atë kohë ndodhej në burgun e Lantin për një dënim të lidhur me posedimin e një arme zjarri. 28-vjeçari ka deklaruar se ishte angazhuar vetëm për transportimin e materialeve dhe se nuk e dinte që ato do të përdoreshin për kultivimin e kanabisit. Ai ka mohuar gjithashtu se kishte qenë ndonjëherë në banesën ku u zbulua plantacioni.
Hetimet nuk arritën të identifikonin personat që qëndronin pas organizimit të plantacionit. Dy të akuzuarit nuk u paraqitën në gjykatë, pasi janë kthyer prej kohësh në Shqipëri. Njëri prej tyre nuk ka më kontakte të njohura, ndërsa tjetri përfaqësohet nga një avokat, i cili ka kërkuar pafajësinë e klientit të tij. Prokuroria ka kërkuar 18 muaj burg për secilin prej dy shqiptarëve. Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të shpallet brenda një muaji.











