Napoli po kërkon një qendërsulmues për të kompletuar repartin ofensiv të Massimiliano Allegrit. Objektivi i ri është Alexander Sorloth, sulmuesi norvegjez i Atletico Madrid, i cili pëlqehet edhe nga Juventusi.
Drejtuesi sportiv Manna po kërkon një lojtar që të jetë më shumë se një alternativë për Hojlundin. Ideja është të afrohet një sulmues me peshë, cilësi dhe personalitet, i aftë të japë garanci edhe në ndeshjet e mëdha.
Napoli ka nisur kontaktet për Sorloth, fillimisht për të kuptuar situatën e tij dhe nivelin e bisedimeve me Juventusin. Sulmuesi pëlqehet nga shumë klube dhe Atletico Madrid mund ta lejojë largimin, por vetëm me çmimin e duhur.
Klubi italian kërkon të lëvizë shpejt për të shmangur një garë të gjatë në merkato. Megjithatë, para se të bëjë hapin vendimtar, Napoli duhet të zgjidhë çështjen e largimeve në sulm.
E ardhmja e Romelu Lukakut mbetet e paqartë. Belgu ka edhe një vit kontratë me një pagë rreth 12 milionë euro bruto, ndërsa mundësia e rinovimit duket e largët. Edhe Lorenzo Lucca nuk e ka të sigurt qëndrimin, pavarësisht se Allegri mund ta vlerësojë gjatë fazës përgatitore.
Lucca nuk ka bindur plotësisht te Napoli dhe as gjatë huazimit te Nottingham Forest, por ka ende admirues në Itali. Lazio është një nga klubet që po e mendon, ndërsa Manna ka marrë disa telefonata për sulmuesin.
Nëse Napoli arrin të sistemojë lojtarët e tepërt në sulm, atëherë rruga për Sorloth mund të hapet. Norvegjezi shihet si profili i duhur, sepse mund të luajë si qendërsulmues i vetëm, por edhe pranë një numri 9 tjetër, siç ndodh me Haalandin në kombëtaren norvegjeze.
Te Atletico Madrid, Sorloth ka shënuar 44 gola në 107 ndeshje në dy sezone, duke treguar nuhatje të fortë për golin dhe aftësi për të bërë diferencën edhe kur hyn nga stoli.
Napoli po lëviz seriozisht. Synimi është të mposhtë konkurrencën e Juventusit dhe të ndërtojë një sulm edhe më të fortë për sezonin e ardhshëm, me ambicie të qarta për titullin kampion.











