Napoli po kalon një nga momentet më të vështira të sezonit dhe presioni mbi Massimiliano Allegrin po rritet ndjeshëm pas humbjes ndaj Venezias.
Skuadra ka regjistruar tashmë pesë humbje në nëntë ndeshje nën drejtimin e trajnerit italian, ndërsa paraqitja e fundit ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje për zgjedhjet e tij.
Sipas raportimeve, presidenti Aurelio De Laurentiis ka mbetur i habitur nga disa vendime të Allegrit, veçanërisht nga rotacioni dhe zgjedhjet në formacion për një ndeshje që Napoli duhej ta fitonte.
Në Venezia, Allegri vendosi të niste me Giovane dhe Lucca në sulm, një zgjedhje që nuk dha rezultat. Napoli krijoi shumë raste, por u ndëshkua nga një tjetër gabim në mbrojtje, ndërsa Kevin De Bruyne humbi edhe një penallti që mund të kishte ndryshuar fatin e takimit.
Allegri, megjithatë, nuk dëshiron të dramatizojë situatën.
“Nëse shohim rezultatet, është normale të shqetësohemi, por duhet të shohim edhe paraqitjet. Edhe ndaj Villarrealit krijuam shumë, ndërsa në Venezia bëmë një ndeshje të rregullt dhe u ndëshkuam nga një gjysmëgabim. Duhet ta shndërrojmë zhgënjimin në zemërim për të fituar ndeshjet”, deklaroi ai.
Trajneri këmbënguli se skuadra duhet të vazhdojë të punojë dhe të marrë përgjegjësitë.
“Ka momente të tilla në futboll. Unë di vetëm një mënyrë: të vazhdojmë të punojmë. Duhet të vuajmë dhe të punojmë edhe më shumë. Gjithçka varet nga ne.”
Koha, megjithatë, po ngushtohet. Napoli pret Bodo në Champions League të martën, në një sfidë që mund të jetë vendimtare për të ardhmen europiane të skuadrës, ndërsa pak ditë më pas në “Maradona” mbërrin Roma.
Dy ndeshje në shtëpi, brenda pak ditësh, që mund të përcaktojnë jo vetëm drejtimin e sezonit të Napolit, por edhe të ardhmen e Allegrit në stol.










