Pas rritjes me 15 lekë të çmimit të naftës në 24 orët e fundit, qeveria ka vendosur të rikthejë Bordin e Transparencës, i cili cakton çmimet tavan. Po ashtu, qeveria në një mbledhje të zhvilluar mbrëmjen e 19 marsit ka vendosur edhe ndërhyrje në nivelin e akcizës, e cila do të reduktohet në 20%, si një masë që synon lehtësimin e barrës për qytetarët dhe reflektimin e drejtpërdrejtë në uljen e çmimeve. Aktualisht akciza është 38.8 lekë për çdo litër naftë dhe me uljen prej 20% shkon në 31 lekë për çdo litër naftë.
Bordi pritet të ngrihet javës tjetër me VKM, ndërsa mësohet se qeveria ka përcaktuar marzhet e fitimit dhe mënyrën se si do të funksionojë Bordi i Transparencës. Konkretisht marzhi i fitimit pritet të jetë 3 lekë për tregtinë me shumicë dhe 12 lekë për tregtinë me pakicë. “Ky mekanizëm synon të garantojë transparencë dhe kontroll efektiv mbi çmimet, duke parandaluar çdo formë abuzimi”, informoi Agjencia për Media dhe Informim.
Deri më sot, qeveria e kishte parë si të arsyeshme për të mos e rikthyer Bordin e Transparencës me argumentin se që nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, rritja e çmimit të naftës, ka qenë i moderuar. Gjithashtu Rama në takimin e furnizuesit e karburanteve, tha se nuk ka vend për rishikim të taksave, ndërsa tashmë pritet të merret vendimi për uljen e taksës së akcizës me 20%.
Pas rritjes së çmimit të karburanteve qeveria ngriti Task-Forcë për kontrollin e tregut të hidrokarbureve me qëllim për të shmangur abuzimin me çmimet. Kërkesa për rishikimin e taksave është bërë dhe nga Konfidustria pasi në një litër naftë rëndojnë sot 4 taksa: akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe e qarkullimit.
Bordi i Transparencës do të mblidhet në mënyrë të vazhdueshme, sa herë që do të evidentohen luhatje të ndjeshme në çmimet e bursave ndërkombëtare, duke përcaktuar çmimet tavan mbi të cilat nuk do të lejohet tregtimi. Çdo shkelje e këtyre çmimeve nga ana e tregtarëve do të konsiderohet shkelje e rëndë administrative, e cila mund të çojë deri në pezullimin e licencës së aktivitetit. Bordi i Transparencës është një mekanizëm që qeveria e ka përdorur edhe gjatë krizës së luftës në Ukrainë në vitin 2022.











