Karriera profesionale e Mykhailo Mudryk është në një moment shumë delikat. Federata Angleze e Futbollit ka vendosur zyrtarisht ta pezullojë për katër vite, pas rezultatit pozitiv në një kontroll antidopingu në dhjetor të vitit 2024.
Anësori ukrainas i Chelsea, i cili nuk luan që prej nëntorit 2024, rezultoi pozitiv për meldonium, një substancë e ndaluar që mund të ndikojë në rritjen e rezistencës fizike dhe rikuperimit pas aktivitetit sportiv. Për të njëjtën substancë ishte dënuar më parë edhe ish-tenistja Maria Sharapova.
Pas rezultatit pozitiv në kampionin “A”, Mudryk u akuzua nga FA për shkelje të rregullave antidoping dhe u pezullua përkohësisht, në pritje të konfirmimit nga kampioni “B”. Më pas, Federata Angleze e Futbollit e formalizoi dënimin maksimal prej katër vitesh.
Në qershor të vitit të kaluar, një përfaqësues i FA konfirmoi për “The Telegraph” se Mudryk ishte akuzuar për praninë ose përdorimin e një substance të ndaluar, sipas rregullave antidoping.
Për mbrojtjen e tij ligjore, ukrainasi iu drejtua studios “Morgan Sports Law”, e njëjta që përfaqësoi Paul Pogba dhe arriti t’i ulte dënimin nga katër vite në 18 muaj. Megjithatë, rasti i Mudryk do të duhet të shkojë një hap më tej.
Më 25 shkurt, lojtari i Chelsea, i cili ka kontratë me klubin londinez deri në vitin 2031, apeloi vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Sipas gazetarit Ben Jacobs, ukrainasi po kundërshton pezullimin katërvjeçar, ndërsa palët janë duke shkëmbyer argumentet me shkrim. Ende nuk është caktuar një datë për seancën dëgjimore.
Mudryk u transferua te Chelsea në janar 2023 për 70 milionë euro fikse, plus 30 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Ai ka zhvilluar 73 ndeshje me klubin londinez, duke shënuar 20 gola dhe duke dhënë 11 asistime.
Tashmë, e ardhmja e tij mbetet e paqartë, ndërsa vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv do të jetë vendimtar për vazhdimin e karrierës së tij.











