Një zjarr i përmasave të mëdha vijon të përparojë në zonën e Malit të Çikës, duke u shtrirë në të dyja anët e masivit malor dhe duke ngritur shqetësimin për zonat turistike të Dhërmiut dhe Palasës.
Flakët nisën në zonën mbi Dukat dhe, gjatë natës, u përhapën në një sipërfaqe të konsiderueshme në drejtim të Malit të Çikës. Terreni i thyer dhe malor e ka bërë të vështirë ndërhyrjen e forcave nga toka.
Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse, rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile. Për shkak të vështirësisë së terrenit, ndërhyrja është përforcuar edhe nga ajri, me dy avionë “Air Tractor”, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave.
Situata është veçanërisht shqetësuese për shkak të drejtimit të flakëve. Pas përhapjes nga krahu i Dukatit, zjarri ka kaluar në anën tjetër të malit, në drejtim të Dhërmiut dhe Palasës, duke e afruar vatrën me një prej zonave më të frekuentuara turistike të jugut.
Autoritetet po punojnë për të parandaluar avancimin e zjarrit dhe për të izoluar vatrat. Fillimisht zjarri u shfaq në disa vatra dhe dyshohet se mund të jetë shkaktuar qëllimisht, por shkaku përfundimtar mbetet për t’u përcaktuar nga hetimet.
Një tjetër shqetësim lidhet me mundësinë e ndryshimit të kushteve atmosferike. Forcimi i erës do të mund të favorizonte përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt zonave të tjera të masivit dhe Parkut Kombëtar të Llogarasë.











