Neda Balluku ka bërë një rrëfim të ndjerë në rrjetet sociale, duke reflektuar mbi mënyrën se si ka zgjedhur të paraqesë ndër vite jetën e saj familjare para publikut. Në një postim të gjatë dhe emocional, Neda ka pranuar se për një kohë të gjatë ka krijuar përshtypjen se martesa dhe familja e saj ishin perfekte, ndërsa realiteti pas kamerave ishte më i komplikuar. “Mbase gënjeva”, shkruan ajo, duke sqaruar se nuk bëhej fjalë për një mashtrim të qëllimshëm, por për një dëshirë të fortë për të besuar se gjithçka që kishte ndërtuar ishte ashtu siç e kishte ëndërruar.
Sipas Nedës, përmes fotografive dhe momenteve që ndante në rrjetet sociale, ajo tregonte një version të jetës së saj që në njëfarë mënyre shpresonte se do të bëhej realitet. Ajo ka kërkuar ndjesë ndaj ndjekësve për këtë perceptim dhe ka pranuar se jo gjithçka që shfaqej në publik përfaqësonte atë që po ndodhte në jetën e saj private. Rrëfimi vjen disa muaj pas ndarjes nga bashkëshorti i saj, Ogreni. Dyshja u njohën në vitin 2010, gjatë pjesëmarrjes në edicionin e katërt të “Big Brother Albania”, dhe lidhja e tyre vazhdoi edhe pas përfundimit të reality show-t.

Në vitin 2015, Neda dhe Ogreni kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë dhe së bashku u bënë prindër të tre fëmijëve, dy djemve, Serzh dhe Zai, si dhe vajzës Suzie Ann. Pas disa muajsh aludimesh për një krizë në marrëdhënien e tyre, Neda konfirmoi në nëntor 2025 se ajo dhe Ogreni kishin nisur procesin e divorcit. Ajo tregoi se kishte qenë vetë ajo që kishte marrë vendimin për ndarjen, pasi marrëdhënia nuk ishte më e shëndetshme dhe prej kohësh të dy jetonin të ndarë. Në reflektimin e saj të fundit, Neda duket se po përpiqet të vendosë një vijë mes imazhit që kishte krijuar dikur dhe realitetit që po përballet sot.
Ajo ka falënderuar gjithashtu ndjekësit për mbështetjen dhe dashurinë që i kanë dhënë gjatë kësaj periudhe, ndërsa pranon se pas një ndarjeje nuk është gjithmonë e lehtë të shfaqësh publikisht atë që po përjeton vërtet.











