Gazetari Osman Stafa, ka denoncuar një skandal të rëndë në Spitalin Onkologjik, ku pacientëve me tumore u anulohen ose u shtyhen operacionet kirurgjikale për shkak të mungesës së materialeve bazë mjekësore. Sipas denoncimit, pacientët, të cilët kanë pritur për muaj të tërë për të kryer operacionin, janë paraqitur në spital në datën e planifikuar, por janë detyruar të kthehen në shtëpi pasi u është komunikuar se mungonin materialet e nevojshme për ndërhyrjen, konkretisht fijet kirurgjikale për qepjen e plagëve.
Një qytetare, e cila ka kontaktuar Stafa, tregon se nëna e saj kishte një operacion të planifikuar, por ndërhyrja nuk u krye. Ajo thekson se nuk ishte rasti i vetëm, pasi edhe pacientë të tjerë ishin kthyer mbrapsht për shkak të mungesës së pajisjeve dhe materialeve në sallën e operacionit. Ajo shprehu shqetësimin se anulimi i ndërhyrjes do të sjellë shtyrjen e saj për një kohë të pacaktuar, duke shtuar se familja nuk di se si do të veprojë më tej.
Denoncimi ngre pikëpyetje serioze për mungesën e furnizimeve bazë në një prej spitaleve ku trajtohen pacientët me sëmundje tumorale, si dhe për pasojat që këto vonesa mund të kenë në shëndetin e tyre. Gazetari Stafa e cilëson situatën si një skandal i rëndë, duke theksuar se pacientët në onkologjikë nuk mund të përballojnë pritje të pafundme, pasi vonesat në trajtim mund të sjellin pasoja serioze për ecurinë e sëmundjes.
Denoncimi i Osman Stafës:
Ky është një skandal i madh i cili po ndodh në Spitalin Onkologjik. Pacientët, të cilët kanë tumore në trupin e tyre dhe do duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, presin me muaj të tërë derisa vjen data.
Dhe kur vjen dita e operacionit, vijnë pacientët në spital dhe këtu u thonë se nuk kanë penj për të qepur plagët. Nuk kanë penj për të mbyllur plagën dhe për këtë arsye do duhet të ktheheni përsëri në shtëpi, dhe kur të vijnë penjtë ne do ju marrim në telefon për të bërë operacionin.
Po çfarë shaka është kjo? A është tallje kjo? Po si mundet një shtet, i cili pretendon të hyjë në Bashkimin Evropian dhe i cili paguan koncertin e Kanye West-it, i cili paguan ‘Kopshtin Eden’, të mos ketë para për të blerë penj që pacientët të qepen pas ndërhyrjes kirurgjikale? A është shaka kjo?
Po këta pacientë nuk mund të presin. Në qoftë se këta presin, tumori në trupin e tyre avancon, krijon metastaza. Është urgjente ndërhyrja tek këta pacientë, ndërhyrja kirurgjikale. Dhe këta u kanë thënë pacientëve: ‘Ikni në shtëpi’.
Ky është rasti që më ka ardhur si denoncim nga një zonjë, e cila ka familjarin e saj në Spitalin Onkologjik, ka pritur një kohë të caktuar dhe më pas i thonë se ju nuk mund ta kryeni [operacionin] se nuk ka penj në Spitalin Onkologjik. Dhe unë do ta marr në telefon, zonja më ka lënë dhe numrin e kontaktit, jam duke e marrë.
Osman Stafa: Përshëndetje, si jeni? Më keni lënë numrin e telefonit aty dhe ju mora për t’ju pyetur në lidhje me mesazhin që më keni dërguar. Si është e vërteta?
Qytetarja: Kemi pasur një planifikim përpara disa ditësh për operacionin e nënës. Kur shkuam aty me të gjithë dokumentacionin e plotësuar, na thanë që nuk ka mjete të duhura në sallën e operacionit dhe na kthyen mbrapa. Ishin disa pacientë, jo vetëm neve; janë kthyer të gjithë mbrapa për mungesë pajisjesh në sallë.
Gazetari: Konkretisht çfarë ju thanë? Me çfarë biseduam edhe me mjekun, na thanë që nuk ka fijet/penjtë për të qepur plagën. Nëna ka tumor në trup?
Qytetarja: Po.
Gazetari: Si do t’ia bëni tani?
Qytetarja: Nuk e di se si do të veprojmë, sepse duke u anuluar ato operacione atë ditë, bie që do të shtyhen edhe për shumë kohë të tjera në vazhdim.
Gazetari: Si ndihesh kur dëgjon se qeveria shqiptare jep para për kopshtin Eden apo për koncertin e Kanye West, dhe nuk ka para për penj në shëndetësi?
Qytetarja: Është gjëja më absurde që mund të ekzistojë. Pastaj pyesin veten pse largohen njerëzit nga Shqipëria, kur nuk ka kushte minimale për këto raste e për shumë të tjera. Çfarë presin të qëndrojnë këtu?
Gazetari: Të falënderoj shumë dhe uroj që me anë të këtij denoncimi penjtë të vijnë. Faleminderit që ma besove denoncimin tënd.
Qytetarja: Faleminderit edhe juve që jeni zëri ynë për çdo gjë, sepse kështu siç kanë shkuar gjërat, vetëm zëri juaj mund të bëjë diçka.
Gazetari: Mungesa e penjve për të qepur plagët e të sëmurëve me kancer është çmenduria më e madhe sa i takon ndalimit të operacioneve jetike.











