Giovanni Malagò është zgjedhur president i ri i Federatës Italiane të Futbollit, duke marrë 68.58% të votave në asamblenë zgjedhore të zhvilluar në Romë. Ai mposhti Giancarlo Abeten dhe tashmë pritet të nisë një fazë të re për futbollin italian.
Projekti i tij parashikon një ndryshim të madh edhe te kombëtarja e Italisë. Emri i parë për pankinën është Antonio Conte, i preferuar ndaj Roberto Mancinit, ndërsa Paolo Maldini shihet si drejtori i ri teknik. Për ish-mbrojtësin e Milanit, marrëveshja konsiderohet thuajse e mbyllur.
Malagò kërkon të ndërtojë një projekt të fortë për të rikthyer Italinë në nivelin më të lartë. Për këtë arsye, ai synon figura me peshë dhe eksperiencë, duke nisur nga Conte dhe Maldini, dy emra që lidhen fort me mentalitetin fitues të futbollit italian.
Presidenti i ri theksoi se ndryshimi është i domosdoshëm, duke lënë të kuptohet se sistemi aktual nuk mund të vazhdojë pa reforma. “Vetëm nuk mund të bëj asgjë, por së bashku mund të bëjmë gjithçka”, ishte mesazhi i tij pas zgjedhjes.
Një tjetër çështje e rëndësishme për Malagò do të jetë raporti me politikën italiane, sidomos pas tensioneve të fundit për fondet e futbollit. Ai pritet të nisë menjëherë punën për të hapur një kapitull të ri në drejtimin e Federatës.











