Luis Enrique është plotësisht i fokusuar te finalja e Champions League, ku PSG do të përballet me Arsenal më 30 maj në Budapest.
Trajneri spanjoll foli në Media Day të klubit parizien dhe theksoi se ajo që e motivon më shumë në futboll është paparashikueshmëria.
“Futbolli më ka dhënë shumë më tepër sesa i kam dhënë unë. Nuk kam kërkuar kurrë të jem mes trajnerëve më të mirë, por gjithmonë kam kërkuar të jem konkurrues dhe gati për të fituar”, u shpreh Luis Enrique.
Ai shtoi se futbolli kërkon ndryshim të vazhdueshëm dhe se aftësia për t’u përshtatur është bërë shumë e rëndësishme në nivelet më të larta.
“Në futboll duhet të ndryshosh gjatë gjithë kohës, përndryshe do të ishte shumë e lehtë. E ardhmja e futbollit po shkon drejt kësaj ideje: të kesh më pak kontroll për të befasuar kundërshtarin”, tha trajneri i PSG.
Luis Enrique vlerësoi shumë Arsenal dhe sidomos punën e Mikel Arteta, duke e cilësuar skuadrën londineze si “më të mirën në botë pa topin”.
Sipas tij, Arteta ka arritur t’i japë Arsenal personalitetin e tij dhe ta kthejë në një skuadër shumë konkurruese, pas një periudhe të gjatë pa suksese të mëdha.
Trajneri spanjoll pranoi se Arsenal është shumë i fortë edhe në duelet ajrore, por shtoi se PSG ka treguar se di të mbrohet mirë në situata të tilla.
PSG ka shënuar 44 gola këtë sezon në Champions League, vetëm një më pak se rekordi historik i Barcelonës në sezonin 1999/2000. Megjithatë, Luis Enrique theksoi se përballja me Arsenal do të kërkojë përqendrim maksimal.











