Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur hapur për krizën e lëndimeve që ka goditur rëndë skuadrën katalanase këtë sezon, duke pranuar se ajo ka ndikuar ndjeshëm në planet e trajnerit Hansi Flick.
“Kemi pasur shumë lëndime, kjo ka ndikuar pak në planet tona, por tani lojtarët e lënduar po rikuperohen dhe jemi duke u përmirësuar gradualisht,” deklaroi Laporta, duke theksuar se situata, megjithëse e vështirë, nuk duhet të shërbejë si justifikim për performancat e luhatshme.
Barcelona është përballur me një listë të gjatë mungesash, ku përfshihen Robert Lewandowski, Dani Olmo, Raphinha, Lamine Yamal, Ferran Torres, Pedri, Gavi, Fermin López, Alejandro Balde, Andreas Christensen dhe Joan Garcia – një situatë që ka ndikuar direkt në rezultatet e skuadrës dhe në renditjen e saj.
Megjithatë, rikthimi i Lewandowskit dhe Olmos në fitoren 3-1 ndaj Elches ka sjellë një frymë të re optimizmi në kampin blaugrana. Pritet që Raphinha dhe Joan Garcia të rikthehen pas ndërprerjes ndërkombëtare, ndërsa rikuperimi i Lamine Yamal po menaxhohet me kujdes maksimal për të shmangur komplikime.
Laporta shprehu besim se pjesa më e vështirë e krizës së lëndimeve po i afrohet fundit, ndërsa theksoi se ekipi po fiton sërish stabilitet. “Po e rimarrim ngadalë ritmin dhe kemi besim se me rikthimin e lojtarëve, skuadra do të rikthehet në nivelin që presim,” tha ai.
Pavarësisht vështirësive, situata ka hapur edhe mundësi për lojtarët e rinj, të cilët kanë pasur rastin të fitojnë përvojë në nivelet më të larta të konkurrencës. Barcelona shpreson se kjo kombinim mes rikuperimit të yjeve dhe forcimit të brezit të ri do të ndihmojë klubin të kthehet fuqishëm në garë për trofetë sezonalë.











