Gennaro Gattuso nuk do të jetë më trajneri i kombëtares italiane. Sipas raportimeve, 48-vjeçari ka marrë vendimin për t’u larguar nga stoli i Italisë, pasi nuk arriti të përmbushë objektivin kryesor që i ishte vendosur: kualifikimin e Azzurrëve në Kupën e Botës.
Shkaku kryesor i këtij vendimi ishte humbja ndaj Bosnjë-Hercegovinës në play-off-in e kualifikueseve, një disfatë që la Italinë jashtë Botërorit për të tretën herë radhazi. Ky tjetër dështim i madh ka sjellë pasoja të menjëhershme, ndërsa federata italiane ka nisur tashmë kërkimet për pasuesin e tij.
Dorëheqja e Gattusos pritet të zyrtarizohet shumë shpejt. Trajneri mori drejtimin e Italisë në qershor të vitit 2025 dhe në tetë ndeshje në krye të skuadrës regjistroi gjashtë fitore dhe dy humbje, por në fund nuk arriti të shmangte një tjetër zhgënjim historik për futbollin italian.
Largimi i tij mbyll një kapitull të shkurtër, por shumë të vështirë, në stolin e kombëtares. Tani mbetet për t’u parë se kush do të marrë drejtimin e Italisë në një moment kaq delikat dhe me nevojën urgjente për të rindërtuar skuadrën.











