Qindra besimtarë myslimanë në mbarë vendin kanë festuar sot Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam, duke falur namazin që në orët e para të mëngjesit dhe duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe sakrifice.
Në Fier, besimtarët u mblodhën në sheshin qendror të qytetit për faljen e Kurban Bajramit. Kreu i Myftinisë, Mikele Hazizolli, theksoi në mesazhin e tij rëndësinë e kësaj feste si simbol i sakrificës, solidaritetit dhe ndërgjegjësimit shpirtëror. Pas faljes, besimtarët shkëmbyen urime dhe vijuan traditën e ndarjes së kurbanit me familjarët dhe njerëzit në nevojë.
Atmosferë festive u regjistrua edhe në Korçë, ku shumë besimtarë falën namazin në xhaminë “Iljaz Bej Mirahori”. Myftiu i Korçës, Ledian Cikalleshi, bëri thirrje për më shumë unitet dhe mbështetje ndaj familjeve në nevojë. Falja e Kurban Bajramit u zhvillua edhe në Pogradec, ku gjatë ditës priten vizita dhe urime pranë Myftinisë.
Në Lushnje, qindra besimtarë u bashkuan në sheshin qendror për të kryer faljen e Bajramit. Myftiu Gramos Blliku vuri theksin te solidariteti, ndihma ndaj njerëzve në nevojë dhe rëndësia e harmonisë brenda komunitetit.
Edhe në Vlorë, besimtarët myslimanë u mblodhën në pallatin e sportit “Flamurtari” për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Ceremonia u drejtua nga Myftiu Ardit Hoxhllaku, i cili theksoi simbolikën e sakrificës dhe devotshmërisë që përcjell kjo festë. Besimtarët shkëmbyen urime dhe vijuan traditën e prerjes së kurbanit dhe ndarjes së tij me njerëzit në nevojë.
Në Burrel, besimtarët mbushën xhaminë brenda dhe jashtë për të falur namazin e Kurban Bajramit. Imami Besim Haka tha se kjo festë përcjell mesazhe afrimiteti me familjen, miqtë dhe njerëzit në nevojë. Pas faljes, besimtarët nisën vizitat tradicionale në familje.
Festimet vijuan edhe në Berat, ku falja e madhe u zhvillua në pedonalen “Republika” dhe u drejtua nga Myftiu Bilbil Talla. Ai theksoi se Kurban Bajrami është dita e sakrificës, sinqeritetit dhe ndihmës ndaj jetimëve e familjeve në nevojë. Besimtarët u lutën për paqe, bekim dhe harmoni, ndërsa më pas vijuan traditën e ndarjes së kurbanit dhe vizitave familjare.
Në Elbasan, qindra besimtarë falën Kurban Bajramin në sheshin “Gensher”. Myftiu Agim Duka përcolli mesazhe për më shumë mirësi, solidaritet dhe ndihmë ndaj njëri-tjetrit, ndërsa besimtarët shkëmbyen urime për paqe dhe begati në familjet e tyre.











