Kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, ka deklaruar se mbështet plotësisht nisjen e procedurave për shkarkimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth. “Jam plotësisht pro rezolutës për shkarkimin e Hegseth”, tha Jeffries në një intervistë për ABC News, duke e akuzuar atë për shpërdorim të pushtetit dhe për rrezikimin e sigurisë kombëtare.
Jeffries kritikoi veçanërisht rolin e Hegseth në luftën me Iranin, të cilën e cilësoi si një konflikt të panevojshëm dhe të kushtueshëm, që ka rritur çmimet për amerikanët dhe e ka bërë vendin më pak të sigurt. Ai tha se demokratët do ta diskutojnë çështjen në një mbledhje të grupit parlamentar të martën dhe pret mbështetje të gjerë për rezolutën.
Nismën pritet ta rikthejë në Kongres edhe republikani Thomas Massie, i cili ka paralajmëruar se mund të paraqesë rezolutën që të hënën. Dokumenti përmban akuza për shpërdorim detyre, përfshirë nisjen e operacioneve ushtarake pa autorizimin e Kongresit. Megjithatë, miratimi i shkarkimit mbetet i pasigurt, pasi republikanët vazhdojnë të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve deri në janar.











