Gara për sekretarin e përgjithshëm të Partisë Demokratike u zgjerua në momentet e fundit, pasi Saimir Korreshi vendosi të kandidojë përballë Flamur Nokës për këtë post.
Deputeti demokrat e bëri të ditur kandidimin pak para mbledhjes së Këshillit Kombëtar, duke theksuar se vendimi ishte marrë gjatë ditës dhe se nuk kishte pasur nevojë për një fushatë të posaçme për të kërkuar mbështetje.
“Është vendim i ditës së sotme”, tha Korreshi, duke shtuar se kandidimi ishte një zgjedhje e tij: “Nuk më detyron njeri”.
Përballë pyetjeve nëse kishte pasur kohë për të bërë lobim te anëtarët e Këshillit Kombëtar, Korreshi u shpreh se emrat e dy kandidatëve janë të njohur brenda demokratëve.
“Na njohin. Lobimi është ajo çka ne përfaqësojmë me njëri-tjetrin. Të gjithë e dinë, nëse ka ardhur koha që do ndryshojë, do ndryshojë”, deklaroi ai.
I pyetur se çfarë do të bënte nëse do të renditej i dyti në këtë garë, Korreshi nuk dha një përgjigje konkrete, duke thënë: “Të mbarojë njëherë votimi”.











