Drejtues të disa klubeve të Premier League kërkojnë që dënimi ndaj Manchester Cityt të vendoset përpara përfundimit të sezonit aktual, pas vendimit që e shpalli klubin fajtor për shkelje të rregullave financiare.
Sipas “BBC Sport”, figura të larta të futbollit anglez besojnë se nuk ka arsye që procesi të zvarritet më tej, edhe pse City pritet të paraqesë apel ndaj vendimit.
Një drejtues klubi, i cili foli në kushte anonimiteti, theksoi se një zgjidhje sa më e shpejtë do të ishte në interes të të gjithëve, ndërsa një tjetër burim u shpreh se çështja duhet të përfundojë brenda sezonit.
Shqetësimi kryesor lidhet me mundësinë që Manchester City ta mbyllë kampionatin pa marrë ende një dënim, veçanërisht nëse skuadra do të ishte në garë për titullin.
Vendimi përfundimtar për masën ndëshkuese i takon komisionit të pavarur, ndërsa si Premier League ashtu edhe Manchester City mund të paraqesin propozimet e tyre për dënimin.
Ndërkohë, sponsori kryesor i klubit, Etihad Airways, ka bërë të ditur se po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore ndaj Premier League, duke kundërshtuar çdo pretendim se kompania ka qenë pjesë e marrëveshjeve të parregullta tregtare.











