Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, ka nisur “tranzicionin gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në një reagim për Radio Europa e Lirë, KFOR-i tha se ky hap po ndërmerret në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë. “Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë.
Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thuhet në reagimin e KFOR-it për Radio Europa e Lirë.
Sipas KFOR-it, ky proces “do të jetë gradual, në varësi të kushteve dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)” thuhet në përgjigjen e dhënë medias së njohur.
Më herët, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi për integrimin gradual të Policisë së Kosovës në sigurinë e Manastirit të Deçanit.











