Situata te kombëtarja e Argjentinës është bërë e paqartë në prag të grumbullimit të radhës. Lautaro Martínez është parathirrur nga Lionel Scaloni, por ende nuk është e sigurt nëse kapiteni i Interit do të jetë pjesë e listës përfundimtare.
Federata Argjentinase po kalon një periudhë të trazuar, me presidentin “Chiqui” Tapia të përfshirë në një betejë ligjore pas akuzave për pastrim parash, ndërsa janë ngritur pikëpyetje edhe për bonuset që u detyrohen lojtarëve pas rezultateve të fundit. Në këtë situatë, AFA po shqyrton mundësinë që disa prej emrave më të rëndësishëm të mos udhëtojnë për miqësoret e ardhshme.
Përveç Lautaros, në diskutim janë edhe Julián Álvarez, Cristian Romero, Emiliano Martínez, Lisandro Martínez, Alexis Mac Allister dhe Rodrigo De Paul. Argjentina pritet të zhvillojë tre miqësore, ndërsa emrat e kundërshtarëve të përmendur janë Burkina Faso, Bolivia dhe Benini.
Nëse Lautaro lihet jashtë, Interi do ta kishte kapitenin në dispozicion për rreth tre javë, një mundësi e rëndësishme për të rikuperuar energjitë dhe për t’u përgatitur për ndeshjet e Serie A dhe Champions League.
Lista përfundimtare e Scaloni pritet të publikohet të hënën, kur do të qartësohet edhe nëse Argjentina do t’u japë pushim disa prej figurave kryesore të brezit të fundit.











