Një valë e re tarifash amerikane ndaj një game të gjerë mallrash kanadeze ka hyrë në fuqi që prej mesnatës së së shtunës, pasi bisedimet tregtare mes Kanadasë dhe SHBA-së dështuan në minutat e fundit.
Kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi pezullimin e negociatave pak para skadimit të afatit të premten në mbrëmje, duke deklaruar se Kanadaja do të vendosë tarifa reciproke ndaj mallrave amerikane, “dollar për dollar”.
Carney tha se ndryshimet e minutës së fundit në kushtet e propozuara nga SHBA-ja ishin “të padrejta, joekonomike” dhe vunë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje të mundshme.
Negociatorët tregtarë të të dyja vendeve kishin zhvilluar bisedime intensive që prej korrikut, pasi Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me vendosjen e një tarife prej 50% ndaj gati 20 miliardë dollarëve importe kanadeze deri më 19 gusht.
Trump i kishte pezulluar përkohësisht këto tarifa në fillim të javës, duke deklaruar se të dyja palët ishin pranë arritjes së një marrëveshjeje tregtare që do të ishte “shumë e mirë” për të dyja vendet.
Megjithatë, pak minuta para skadimit të afatit, Carney deklaroi se, ndonëse ishte bërë “përparim i rëndësishëm” në negociata, ai nuk ishte i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat e Kanadasë.
“Si rezultat, sonte kam vendosur të pezulloj negociatat tregtare me SHBA-në dhe i kam udhëzuar negociatorët të kthehen në Ottawa”,tha Carney.
Pas deklaratës së Carney-t, përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, tha se Kanadaja kishte refuzuar të finalizonte marrëveshjen sipas kushteve të dakordësuara më herët gjatë javës.
“Pavarësisht ofertës së SHBA-së ndaj Kanadasë për të marrë trajtimin më të mirë të çdo eksportuesi të madh në tregun tonë, kërkesat e reja dhe tërheqjet nga angazhimet e tjera nga Kanadaja kanë përmbysur ekuilibrin e kujdesshëm të arritur në ditët e fundit”, thuhet në deklaratën e tij.
Ndërprerja e negociatave shënon një ndryshim të rëndësishëm në tonin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në fillim të javës, zyrtarët amerikanë dhe kanadezë shfaqeshin optimistë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje tregtare.
Sipas propozimeve të diskutuara, SHBA-ja do të ulte tarifat për çelikun dhe aluminin kanadez nga 50% në 25%, ndërsa tarifat për automjetet kanadeze do të uleshin nga 25% në 15%.
Në këmbim, Carney u kishte kërkuar provincave kanadeze të rikthenin në raftet e dyqaneve pijet alkoolike amerikane.
Tensionet mes dy partnerëve kryesorë tregtarë janë përshkallëzuar që prej rikthimit të Trump në detyrë në janar të vitit të kaluar dhe nisjes së programit të tij të gjerë tarifor, duke vënë në pikëpyetje dekada të tregtisë së lirë mes Kanadasë dhe SHBA-së.
Pas dështimit të negociatave, Kanadaja do të përballet me tarifa të reja amerikane prej 50%, të vendosura nga administrata Trump në bazë të Aktit të Tarifave të vitit 1930, një ligj i miratuar gjatë periudhës së Depresionit të Madh.
Tarifat do të aplikohen ndaj një game të gjerë mallrash, përfshirë verën, produktet e qumështit, çimenton, veshmbathjet dhe pajisjet e hokejit.
Ato i shtohen tarifave ekzistuese amerikane ndaj çelikut dhe aluminit, automjeteve dhe drurit kanadez.
Kanadaja ka zhvilluar negociata të vazhdueshme me SHBA-në për më shumë se një vit, në përpjekje për të arritur një marrëveshje që do të çonte në uljen ose heqjen e tarifave amerikane në sektorët kryesorë.
Nga ana tjetër, SHBA-ja ka kërkuar një sërë lëshimesh nga Kanadaja, përfshirë heqjen e tarifave hakmarrëse ndaj automjeteve amerikane dhe ndryshimin e kuotave për produktet e qumështit, me qëllim rritjen e aksesit të prodhuesve amerikanë të djathit në tregun kanadez.
Washingtoni ka kërkuar gjithashtu heqjen e ndalimit për shitjen e alkoolit amerikan, të vendosur vitin e kaluar nga shumica e provincave kanadeze si masë hakmarrëse ndaj tarifave të Trump.
Bizneset dhe grupet e interesit në të dyja anët e kufirit kishin bërë thirrje për një marrëveshje, duke paralajmëruar se tarifat e reja amerikane mund të dëmtojnë ekonomitë e të dyja vendeve.
Dhoma e Tregtisë e SHBA-së paralajmëroi se tarifat më të larta do të dëmtonin të dyja ekonomitë, do të rrisnin kostot për familjet amerikane, do të ndërprisnin më tej zinxhirët e furnizimit dhe do të rrezikonin miliona vende pune që varen nga tregtia mes dy vendeve.
Ndërkohë, një sondazh i fundit i kompanisë kanadeze Abacus Data tregoi se rreth 36% e kanadezëve do të mbështesnin hakmarrjen ndaj tarifave amerikane, ndërsa 30% do të preferonin që qeveria e Carney-t të vazhdonte negociatat.
Hakmarrja kanadeze rrezikon të përshkallëzojë më tej tensionet me administratën Trump. Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, ka paralajmëruar se SHBA-ja “nuk do të tolerojë” kundër-tarifat.
“Ne do të ndërmarrim veprime”, u tha ai gazetarëve javën e kaluar.











