Vendimi që Lamine Yamal të qëndrojë në Barcelonë për t’u rikuperuar nga shqetësimet në gjurin e djathtë ka hapur debat në Spanjë.
Talenti i Barcelonës nuk iu bashkua grumbullimit të Kombëtares në Las Rozas pas problemeve të shfaqura në ndeshjen ndaj Atlético Madridit. Pas ekzaminimeve, u vendos që ai të qëndrojë disa ditë në klub dhe të mungojë ndaj Çekisë, me synimin për t’u rikthyer për sfidën kundër Anglisë.
Vendimi i Luis de la Fuentes ka ndarë opinionet.
Jordi Martí e konsideron të arsyeshme që rikuperimi të kryhet në Barcelonë, ku lojtari ndiqet prej vitesh nga mjekët, fizioterapistët dhe stafi i klubit.
Edhe Javier Herráez e sheh situatën si një përpjekje për të ruajtur marrëdhëniet e mira mes Federatës dhe Barcelonës, megjithëse pranon se Yamal mund të ishte grumbulluar normalisht.
Më kritik ishte Julio Pulido, i cili ngriti pyetjen se përse lojtari duhet të rikuperohet në klub dhe jo nën kujdesin e mjekëve të Kombëtares.
Debati u bë edhe më i fortë me komentin e Miguel M. Talavera.
“Mesazhi që po dërgon është se ky lojtar, sepse është i veçantë, mund të bëjë çfarë të dojë. Mendoj se është një mesazh negativ”, u shpreh gazetari.
Edhe Antón Meana e cilësoi situatën si jo normale dhe kërkoi që rasti të analizohet më thellë.










