Hetimi i Prokurorisë së Milanos për botën e arbitrimit ka sjellë zhvillime të rëndësishme. Për momentin, në listën e personave nën hetim për bashkëpunim në mashtrim sportiv nuk ka asnjë drejtues, lojtar apo përfaqësues të Inter, dhe as të ndonjë klubi tjetër.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Milanos, të hetuarit janë vetëm persona të lidhur me sektorin e arbitrimit. Në qendër të dosjes mbetet ish-përgjegjësi i caktimit të arbitrave, Gianluca Rocchi, së bashku me katër emra të tjerë.
Inter është përmendur gjerësisht për shkak të dy ndeshjeve që ndodhen në fokus të hetimit: Bologna-Inter në kampionat, ku ishte caktuar arbitri Colombo, dhe Inter-Milan në Kupën e Italisë, ku ishte caktuar Doveri. Sipas hipotezës së prokurorisë, Doveri, i konsideruar si arbitër jo i preferuar nga Inter, mund të jetë caktuar në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë për të shmangur drejtimin e mundshëm të zikaltërve në finale apo në ndeshjet vendimtare të fundit të sezonit.
Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë akuzë ndaj klubit, lojtarëve apo drejtuesve të tij. Gjithçka mbetet në fazë hetimore dhe provat do të jenë vendimtare në muajt në vijim.
Në total janë pesë persona nën hetim. Gianluca Rocchi dhe Andrea Gervasoni, ky i fundit mbikëqyrës në sektorin e arbitrimit, janë vetëpezulluar pas publikimit të hetimit. Po ashtu nën hetim janë arbitrat Luigi Nasca, i cili ishte në VAR për Salernitana-Modena dhe Inter-Verona, si dhe Rodolfo Di Vuolo, gjithashtu VAR në Inter-Verona.
Këta katër persona po hetohen për bashkëpunim në mashtrim sportiv. I pesti është Daniele Paterna, VAR në Udinese-Parma, i cili dyshohet për dëshmi të rreme. Sipas hetuesve, ai mund të ketë dhënë deklarime jo të sakta gjatë takimit me prokurorin Ascione.
Rocchi dhe Gervasoni pritet të paraqiten të enjten në Milano, ku do të merren në pyetje në një zyrë të Guardia di Finanza. Rocchi nuk pritet t’u përgjigjet pyetjeve, por mund të dorëzojë një deklaratë, ndërsa për Gervasoni mbetet e hapur mundësia që të përgjigjet.
Hetimi ka nisur prej rreth 18 muajsh, me fillesë të mundshme në fund të vitit 2024. Kjo tregon se prokuroria ka pasur kohë të kërkojë dhe të marrë përgjime për muajt e parë të vitit 2025, periudhë në të cilën janë luajtur edhe ndeshjet që po shqyrtohen.
Një nga momentet që mund të ketë hyrë në dosje lidhet edhe me denoncimin e bërë në janar 2024 nga avokati Michele Croce, ish-kandidat për kryetar bashkie në Verona, pas episodit të Bastoni ndaj Duda në ndeshjen Inter-Verona, ku nuk pati ndërhyrje nga VAR.
Prokuroria ka marrë në pyetje një numër të madh personash nga bota e arbitrimit, rreth 30 ose pak më pak. Mes tyre janë arbitra, asistentë, zyrtarë të VAR dhe AVAR, si dhe persona që kanë frekuentuar qendrën VAR në Lissone. Për të kuptuar kush ishte i pranishëm në ditët e ndeshjeve, Guardia di Finanza ka marrë edhe raportet e shpenzimeve të VAR dhe AVAR, madje ka intervistuar edhe një taksist që i kishte transportuar drejt destinacioneve.
Hetimi pritet të vazhdojë deri në muajt qershor-korrik, kur mund të ketë një përfundim më të qartë. Për momentin, futbolli italian mbetet në pritje, ndërsa bota e arbitrimit është gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes së Prokurorisë së Milanos.











