Pas disa të dhënave që kanë ngritur dyshime rreth fatit të të shumëkërkuarit Inez Hajrulla, Policia e Vlorës ka marrë kontakt me babain e tij, Robert Hajrulla.
Ky i fundit i ka deklaruar policisë se nuk ka pasur kontakt me të birin gjatë dy ditëve të fundit. Megjithatë, duke qenë se Inez Hajrulla është në kërkim ndërkombëtar, babai i tij ka shpjeguar se ndodh që ai të mos e kontaktojë çdo ditë.
Sipas Robert Hajrullës, ai beson se i biri ndodhet jashtë vendit. Ai ka bërë të ditur se do t’i drejtohet policisë për të raportuar humbjen e kontakteve vetëm nëse kalojnë 72 orë pa marrë një telefonatë apo ndonjë sinjalizim tjetër nga Inez Hajrulla se është mirë.
Misteri rreth fatit të të shumëkërkuarit nisi pasi miqtë e tij të afërt humbën kontaktet me të.
Sipas tyre, Hajrulla ndodhej në Tiranë dhe dyshohet se është marrë nga persona të veshur me jelekë të ngjashëm me ata të BKH-së. Megjithatë, pasi tentuan të mësonin se në cilin komisariat ishte dërguar, ata morën përgjigjen se ai nuk ishte arrestuar. Kjo situatë bëri që miqtë e tij të alarmoheshin për fatin e tij.
A bëhet fjalë për një rrëmbim nga kundërshtarët e tij apo për një skenar të mundshëm nga vetë Inez Hajrulla për të qëndruar larg policisë? Kjo mbetet e paqartë, ndërsa Policia ka nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e rastit.
Inez Hajrulla është në kërkim me urdhër të SPAK-ut për vrasje dhe grup kriminal. Ai mori drejtimin e grupit kriminal në vitin 2018, pas vrasjes së shefit të tij, Edison Harizaj, i njohur si Edison Faqedjeguri.
Hajrulla është përfshirë në përplasje të forta me disa grupe kriminale në Vlorë, ndërsa disa aksione të zhvilluara për kapjen e tij kanë dështuar.











