Një shtetas që vuante dënimin në IEVP Fier ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta. Bëhet fjalë për Ardjan Malasin, 58 vjeç, lindur në Ballsh, i cili ndodhej në burg për vuajtjen e një dënimi me 8 vite heqje lirie.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Malasi ka pësuar hemorragji cerebrale. Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas kryerjes së autopsisë mjeko-ligjore.
Malasi ishte arrestuar më 26 tetor 2023 dhe ishte transferuar në IEVP Fier më 16 korrik 2026, pas marrjes formë të prerë të vendimit gjyqësor. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me 8 vite burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Vendimi ishte ndryshuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kishte marrë formë të prerë më 1 qershor 2026. Sipas të dhënave të vuajtjes së dënimit, Malasi kishte vuajtur 4 vite, 1 muaj e 18 ditë burg, ndërsa i kishin mbetur edhe 3 vite, 10 muaj e 12 ditë për të përfunduar dënimin.
Rrethanat e vdekjes janë ende nën hetim, ndërsa pritet rezultati i autopsisë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të humbjes së jetës.










