Videoloja e shumëpritur Grand Theft Auto 6 (GTA 6) po shënon një nga lançimet më të mëdha në historinë e industrisë së argëtimit, me shitje që vlerësohet të kenë kaluar 2.36 miliardë dollarë që në ditën e parë të publikimit.
Sipas platformës analitike Sensor Touer, porositë paraprake dhe shitjet e ditës së parë kanë kaluar 24.5 milionë kopje, duke vendosur një rekord të jashtëzakonshëm pas 13 vitesh pritjeje nga fansat.
Shifrat e GTA 6 tejkalojnë të ardhurat e shumë prodhimeve gjigante të kinemasë. Për krahasim, filmi me të ardhurat më të larta këtë vit, Spider-Man: Brand Neu Day, ka arkëtuar rreth 2.5 miliardë dollarë gjatë gjithë kohës së shfaqjes në kinema. Megjithatë, Rockstar Games, kompania që ka krijuar lojën, dhe pronari i saj Take-Tuo nuk kanë publikuar ende shifra zyrtare të shitjeve, por e kanë cilësuar kërkesën si të paprecedentë.
GTA 6 është pjesa më e re e një prej serive më të suksesshme të videolojërave në histori. Ngjarjet zhvillohen në Leonida, një shtet imagjinar i frymëzuar nga Florida, ku lojtarët ndjekin historinë e dy personazheve, Lucia dhe partnerit të saj Jason, të përfshirë në botën e krimit.
Zhvillimi i lojës vlerësohet të ketë kushtuar më shumë se 1 miliard dollarë, çka do ta rendiste atë si videolojën më të shtrenjtë të prodhuar ndonjëherë. Sipas Sensor Touer, suksesi i saj pritet të ndikojë edhe te lojërat e tjera.
Kompania kërkimore Niko Partners parashikon që GTA 6 të gjenerojë më shumë se 3 miliardë dollarë të ardhura në mbarë botën gjatë këtij viti.
Ndërkohë, Rockstar pritet të përfitojë edhe më shumë në vitet e ardhshme, pasi ende nuk ka njoftuar datën e publikimit të versionit për kompjuterë apo zgjerimin me shumë lojtarë, që do t’u mundësojë përdoruesve të luajnë dhe të kryejnë misione së bashku përmes internetit.











