E diel e zezë kjo për Maqedoninë e Veriut! Rreth orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme 59 të rinj humbën jetën tragjikisht pasi klubi i natës “Pulse” u përfshi nga flakët.
Si pasojë humbën jetën 59 të rinj përkatësisht të moshave nga 14 deri në 25 vjeç si dhe mbetën të plagosur rreth 155 të tjerë.
Disa prej të plagosurve janë duke marrë mjekim në klinikat e Shkupit, ndërsa disa të tjerë, të cilët janë në gjendje më të rëndë raportohet se jenë nisur drejt Selanikut për mjekim më të specializuar.
“Pas aksidentit tragjik në Maqedoninë e Veriut dhe bisedës telefonike mes ministrit të Jashtëm grek George Gerapetritis dhe ministrit të jashtëm të vendit fqinj mëngjesin e sotëm, me veprime të koordinuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, Shëndetësisë, Mbrojtjes Civile dhe Shërbimit Mjekësor të Urgjencës Greke, Greqia mori përsipër të gjithë personat në gjendje të rëndë”, bëjnë me dije burimet qeveritare, raporton protothema.gr.
“18 të plagosurit do të trajtohen në spitalin Papanikolaou në Selanik dhe në spitalet ushtarake në Athinë dhe Selanik.”
“Tre persona të plagosur rëndë, të moshave 25, 25 dhe 19 vjeç po trajtohen tashmë në spitalin Papanikolaou me djegie të shumta, njëri prej të cilëve i është nënshtruar një operacioni ”, theksojnë ata.
Tre autoambulancat me të plagosurit mbërritën në spitalin Papanikolaou
Tre të rinjtë nga Maqedonia e Veriut, të cilët u plagosën rëndë në incidentin fatal, mbërritën me ambulancë në Spitalin Papanikolaou në Selanik rreth orës 17:30 të së dielës.
Ata tashmë ndodhen në njësinë e kujdesit intensiv të djegieve të spitalit.
Ministritë e Jashtme të dy vendeve janë në kontakt të vazhdueshëm për transferimin e rasteve të tjera të rënda në spitalin Papanikolaou.
Shtretërit po riorganizohen në ICU, në mënyrë që të jenë gati për të pritur rastet e reja.
Sipas administratës së spitalit Papanikolaou, objekti është gati të pranojë sa më shumë raste të nevojshme.
Autoritetet po hetojnë një rast korrupsioni
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut po hetojnë nëse zjarri që vrau të paktën 59 persona në një klub në Koçan është një rast korrupsioni, tha ministri i Brendshëm Pançe Toskovski.
“Kjo kompani nuk ka licencë të ligjshme operimi”.
“Kjo leje, si shumë gjëra të tjera në të kaluarën, është e lidhur me korrupsionin”, tha ministri i Brendshëm në një konferencë për media në Koçan, vendi ku ndodhi tragjedia gjatë një koncerti mbrëmë.
Më shumë se njëzet persona janë nën hetim, sipas ministrit të Brendshëm..
Mes të dyshuarve është edhe djali i pronarit të klubit. Rreth pesëmbëdhjetë persona janë arrestuar, mes të cilëve edhe punonjës të Ministrisë së Ekonomisë.