Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal që shiste armë zjarri dhe ka vënë në pranga 4 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit “Rrjeti” u arrestuan shtetasit M. V., 35 vjeç, E. M., 25 vjeç, F. Z., 29 vjeç dhe K. B., 32 vjeç.
Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç.
Gjatë të gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve policore, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në total, janë vënë në pranga 9 shtetas, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë.
Nga hetimet dyshohet se 6 shtetasit e identifikuar gjatë operacionit “Rrjeti”, së bashku me shtetasit e arrestuar më parë, D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., të organizuar si grup, kanë siguruar dhe kanë shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit, armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak.
6 shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, i cili vijon për të identifikuar shtetas të tjerë të përfshirë në grup, si dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.











