Gazetari Lavdërim Lita thotë se ka informacione që Flamur Noka ka ofruar disa herë dorëheqjen si Sekretar i përgjithshëm në PD.
Megjithatë sipas gazetarit dorëheqja nuk është pranuar nga Berisha, i cili ka këmbëngulur që Noka të qëndrojë në detyrë.
Lita argumenton që Berisha e do Nokën në strukturat drejtuese për ta manovruar partinë sipas qëllimeve dhe objektivave politike që ai ka.
“Do t’ua them si lajm, që unë e di para shumë kohësh, z.Noka ka ofruar disa herë dorëheqjen te z.Berisha, por është z.Berisha që këmbëngul që z.Noka të qëndrojë aty, sepse ai e do aty, për të manovruar të gjithë partinë sipas qëllimeve dhe objektivave të tij politike.
Të dali kushdo dhe të ma mohojë, që z.Noka do të iki, por nuk e lënë ai. Sepse po të iki z.Noka do të thotë që dikush tjetër merr përgjegjësi, ndërkohë që përgjegjësinë duhet ta merrte kryetari pas çdo humbje në zgjedhje. Nuk janë sakrifica, janë teknika…
Në PD është z.Berisha që vendos dhe z.Noka që zbaton urdhrat e z.Berisha. Z.Noka mban mend 90 për qind të gjërave që thotë z.Berisha! Jo vetëm në Parlament, por edhe në biseda me njerëzit. Kjo është prej vitesh”, tha Lita për A2.











