Barcelona-Real Madrid i së dielës do të ketë një nga produksionet televizive më të mëdha të realizuara ndonjëherë nga LaLiga për një ndeshje kampionati.
Për transmetimin ndërkombëtar të El Clásicos do të përdoren 38 pozicione kamerash, ndërsa numri mund të shkojë në 39 nëse ekipet përdorin edhe “bodycam” gjatë nxehjes.
Kjo do të thotë 13 kamera më shumë se në një ndeshje të zakonshme të kategorisë “A”, ku zakonisht përdoren rreth 25 ose 26 kamera.
Në dispozicion do të jenë kamera kryesore, kamera në vijën e portës, pranë pankinave dhe në tunel, me synimin që asnjë episod i rëndësishëm të mos humbasë.
Produksioni merr edhe më shumë rëndësi pas polemikave të fundit për mungesën e pamjeve të qarta në disa episode arbitrare, ndërsa materialet do të ndihmojnë edhe VAR-in.
Një tjetër risi do të jetë përdorimi për herë të parë i topit të lidhur në një El Clásico. Teknologjia do të ndihmojë arbitrat, por edhe transmetimin, duke ofruar të dhëna dhe grafika shtesë.
Ndeshja do të ketë gjithashtu “RefCam”, kamerën e vendosur te arbitri, që do të ofrojë një këndvështrim më të afërt mbi vendimet dhe komunikimin me lojtarët.
Mbulimi televiziv do të nisë plot 90 minuta përpara fillimit të ndeshjes.
Interesi ndërkombëtar mbetet jashtëzakonisht i madh. LaLiga vlerëson se audienca potenciale e El Clásicos kalon 650 milionë shikues, ndërsa dy edicionet e fundit kanë qenë më të ndjekurat.
Në Barcelonë pritet gjithashtu një prani e madhe ndërkombëtare, me 28 transmetues nga 28 tregje të ndryshme që do të prodhojnë përmbajtje rreth ndeshjes.
Gjithçka është përgatitur që El Clásico të jetë jo vetëm një nga ndeshjet më të mëdha të sezonit, por edhe një spektakël televiziv në shkallë globale.











