Egnatia është gati për një nga ndeshjet më të rëndësishme të historisë së saj. Kampionët e Shqipërisë përballen sot, 27 gusht, me Lillestrøm në sfidën e kthimit të play-off-it të UEFA Europa League.
Pas barazimit pa gola në “Arena Egnatia”, asnjëra skuadër nuk ka avantazh. Rrogozhinasit zhvilluan një paraqitje të kujdesshme në takimin e parë, duke u mbrojtur mirë dhe duke krijuar mundësitë e tyre për të shënuar.
Tani gjithçka zhvendoset në Norvegji, ku Egnatia do të kërkojë një rezultat pozitiv që do ta dërgonte klubin shqiptar drejt një tjetër arritjeje të madhe në arenën europiane. Një fitore në transfertë do t’i siguronte Egnatias kualifikimin në fazën e ligës së UEFA Europa League.
Përballja Lillestrøm–Egnatia luhet sot në orën 19:00, në “Åråsen Stadion”. Pas rezultatit 0-0 në ndeshjen e parë, gjithçka mbetet e hapur dhe fati i dy skuadrave do të vendoset në Norvegji.
Egnatia e ka të siguruar tashmë pjesëmarrjen në fazën e ligës së UEFA Conference League, por objektivi i kampionëve shqiptarë është edhe më i madh. Sot, në transfertën norvegjeze, rrogozhinasit do të kërkojnë të shkruajnë një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e klubit.











